Kryesore » 2012 » Shkurt » 5 » A jam ende e virgjër
3:08 PM
A jam ende e virgjër
Dr.Adem Harxhi
Ka shumë letra nga vajza apo djem lidhur me virgjërinë. Ka prej tyre që kanë provuar prekjet të shumëllojshme e pastaj janë në dyshim lidhur me faktin nëse kanë humbur apo jo virgjërinë. Më poshtë disa detaje lidhur me virgjërinë.
Çfarë është himeni?
Është mbeturinë e një flete indore, që shërben për të ndarë gjenitalet e brendshme nga gjenitalet e jashtme, përpara se hapja vaginale të formohet. Vrimat në qendër të himenit janë hyrja për në vaginë.Himeni është si një perde e vendosur në një portë e cila tregon se ku mbarojnë organet e jashtmet dhe ku fillojnë organet e brendshme. Ju nuk mund të kaloni nëpër këtë portë, pa përshkruar këtë perde, që është himeni. Ai është pjesë e portës së vaginës. Asgjë nuk hyn ose del nga vagina pa kaluar nëpër të.

Përse duhet himeni?

Ne nuk e dimë se pse gratë kanë himen. Duket sikur ai nuk ka asnjë funksion për ato. Himeni tek femra e guinea pig shkrihet në periudhën kur ajo është fertile. Kjo gjë lejon mashkullin të çiftëzohet me të. Pas çiftëzimit ai rritet përsëri dhe e mbyll komplet vaginën, kur guinea pig femër nuk është më në ashk. Shkencëtarët nuk janë të sigurtë se çfarë të mirë ka guinea pig prej kësaj, por, padyshim, kjo është një lojë e shkëlqyer për takimin seksual. Çdo grua do të dëshironte të ishte virgjëreshë në çdo takim dashurie.

Çfarë lidhje ka himeni me virgjërinë?
Kjo lidhje nuk është e domosdoshme. Himenet mund të prishen ose mund të mos prishen gjatë aktit seksual. Njerëzit gjithmonë janë çuditur nga fakti që shumë gra ndiejnë dhimbje ose kanë hemorragji nga vagina herën e parë që bëjnë interkursë penetrante vaginale. Ky fakt i ka detyruar njerëzit të mendojnë se duhet të ketë ndonjë pjesë të vaginës, që me të vërtetë "shkatërrohet” nga penisi herën e parë që vagina penetrohet. Tani, çfarë ka të bëjë himeni me virgjërinë? Ka rreth njëmijë vjet që njerëzit i kanë dhënë himenit reputacionin si pjesa e vaginës që shkatërrohet gjatë interkursës së parë.

Ideja e virgjërisë i ndihmon apo i dëmton njerëzit?

Mendoj se kjo varet shumë nga kuptimi që njerëz të ndryshëm kanë për atë që quhet "virgjëri”. Në qoftë se dikush mendon se "virgjëria” është vetëm një emër që nënkupton gjendjen seksuale në të cilën personi nuk ka pasur asnjëherë dhe me asnjë person aktivitet seksual, unë them se kjo është krejt neutrale dhe nuk ka arsye ta vlerësojmë pozitive ose negative. Në këtë rast, fjala "virgjëri” është një mënyrë e vlefshme për të përshkruar historinë seksuale të dikujt, qoftë grua ose burrë.

Kur me fjalën "virgjëri” nënkuptojmë një "kualitet” të veçantë, që gratë duhet ta kenë patjetër kur martohen, dhe po qe se nuk e kanë atë natën e parë të martesës, ne i vrasim, i përbuzim, i braktisim, nuk i vlerësojmë dhe nuk martohemi me to; kjo, them unë, është shumë e dëmshme.

Kur themi që kjo vajzë ose grua është e "virgjër” dhe me këtë nënkuptojmë dhe vlerësojmë se këto gra e vajza që nuk kanë bërë seks para martesës janë më të mira, më të bukura dhe më të ndritura se të tjerat që kanë bërë seks, unë mendoj se edhe kjo është e dëmshme.

Pse mendoj kështu? Sepse historia seksuale e një personi, grua ose burrë qoftë ai, nuk është një bazë e mjaftueshme dhe shumë e qëndrueshme mbi të cilën të vendosim se disa njerëz janë më të mirë se të tjerët.

A ka ndonjë gjë të keqe që një virgjëreshë të ndihet krenare?

Absolutisht JO. Në qoftë se virgjëria është pjesë e identitetit të saj dhe kjo e bën të ndjehet mirë, unë them që ajo ta ruajë virgjërinë. Ajo mund të ndihet kështu çdo ditë të jetës së saj deri në martesë. Por, natyrshëm, mund të ndodhë që në një moment ajo vendosë të mos jetë më e virgjër. Mendoj se të dyja variantet janë krejt në rregull.

Këshilla ime gjithnjë ka qenë: Vajza që dëshiron të hyjë në jetën seksuale me dashuri dhe dinjitet, duhet të mbetet virgjëreshë deri sa të takojë djalin e duhur.

Koha në të cilën virgjëreshat ndjejnë se janë gati të fillojnë seksin përcaktohet nga nga vetëbesimi i tyre. Disa njerëz janë të pjekur dhe me vetëbesim në moshën 18 vjeç, të tjerë zhvillohen më ngadalë, por shumë rrallë më shpejt.

Nuk do të mjaftonim këto që sapo thamë, po të mos flisnim edhe për vajzat e virgjëra që e kanë zgjedhur këtë rrugë jo nga frika, as pse janë shumë të preokupuara, por për arsye të edukimit të tyre familjar dhe fetar. Ka plot djem e vajza, akoma sot, që kanë mësuar të qëndrojnë të virgjër deri sa të martohen.

Ata edukohen për këtë që në moshë të re. Jeta e tyre, në të vërtetë, nuk është aq e vështirë sa mendojnë të tjerët nga jashtë. Ata kanë mbështetjen dhe aprovimin e familjes, të miqve dhe të besimit të tyre. Abstenimi nga seksi është një jetë e disiplinuar. Ata kanë më shumë vetëkontroll nga sa kanë moshatarët e tyre. Të jetosh me rregulla, për shumë njerëz, është më komforte nga sa të rrosh me impulse. Kjo ka shumë rëndësi të dihet, veçanërisht, nga ata që influencojnë në rregullat e jetës sonë.



A janë të virgjër ata që kanë bërë seks oral ose anal?

Për këtë pyetje vështirë të jepet përgjigje, që të konsiderohet përgjigje e drejtë, ose përgjigje e gabuar. Do t’i konsiderojmë të virgjër ose jo personat që janë përfshirë në këto aktivitete seksuale, kjo varet nga definicioni që përdorim për virgjërinë.

Një vajzë që e ka shkatërruar himenin duke bërë ushtrime baleti dhe nuk ka kryer marrëdhënie seksuale, është një vajzë e virgjër. Ndërsa një vajzë që ka kryer marrëdhënie seksuale pa fund dhe vazhdon ta ketë himenin të paprekur, sepse e ka atë shumë elastik, nuk mund të konsiderohet një virgjëreshë.

A mund të rikthehet virgjëria?

Po e them edhe një herë, kjo varet nga mënyra se si e përcaktojmë "virgjërinë”. Në qoftë se dikush do të dijë nëse mund të kthehet përsëri në gjendjen para eksperiencës seksuale me partner, përgjigjja është pa ekuivok: "Në asnjë mënyrë nuk mund ta rikthejë virgjërinë”.

Por, në qoftë se doni të dini nëse është e mundur që me mënyra kirurgjikale ta bëni himenin të duket si një figurë në një tekst anatomie ose në qoftë se doni që askush të mos jetë i zoti t’u thotë, pasi ta shohë himenin tuaj, se ju keni bërë seks penetrant këtu puna ndryshon. Përgjigjja është një "Po” e madhe. Çdo kirurg mund ta bëjë këtë. Por disa kirurgë plastikë i kryejnë këto në mënyrë të përsosur.



Para se një vajzë të bëjë këto operacione është mirë t’i bëjë vetes këto pyetje dhe të mundohet t’u japë përgjigje: Sa e sigurtë është ajo se burri i ardhshëm pret që ajo të jetë e virgjër? A i ka thënë ai me gojën e tij se e do gruan të virgjër? Çfarë rëndësie ka virgjëria fizike, kur ajo ka humbur virgjërinë etike dhe morale? A e di ajo se ka shumë gra që nuk gjakosen dhe nuk kanë dhimbje gjatë interkursës së parë seksuale.

Në qoftë se ajo e di me siguri që ai pret të jetë e virgjër, vajza ka disa opsione:

a- Të vendosë të kryejë operacionin. Ta gënjejë atë, të heqë zemërimin e tij e të familjes dhe të ruajë martesën dhe veten e saj.

b-Ta rishikojë martesën me një burrë që pret i bindur, të martohet me një vajzë të virgjër.

c-T’i thotë atij të vërtetën (nëse ndjen se mund të ndodhin gjëra të papëlqyera) dhe të presë çfarë do të ndodhë.

Ndryshon puna në qoftë se të dy kanë bërë një marrëveshje që të jenë të dy të virgjër në martesë. Vajza nuk do të ishte e ndershme dhe do ta gënjente me një operacion që do ta bënte fshehurazi. Ta fillosh martesën duke gënjyer, është sikur ta ndërtosh atë mbi themele që lëkunden.



Sot ka shumë vajza, por edhe djem, që pasi kanë filluar të bëjnë seks vendosin të kenë më shumë kontroll për jetën e tyre seksuale. Kështu ata heqin dorë nga jeta seksuale për disa muaj ose vite deri sa ndjehen më të zotë që ta ujdisin atë sipas dëshirave të tyre. Kjo është një mënyrë e mirë dhe e përgjegjshme.

Kjo quhet kthim në virgjërinë sekondare. Kjo do të thotë bëjini vetes një favor: ndalo menjëherë të bësh seks. Kthehu tek virgjëria sekondare. Kthimi tek virgjëria sekondare është, padyshim, vendimi më i mirë që një vajzë mund të ketë marrë ndonjëherë. Të gjitha marrëdhëniet e tjera do të ndryshojnë për mirë. Ajo tani do të bisedojë dhe do të qeshë lirisht. Tensioni dhe faji do të largohen prej saj.

Kuptojeni mirë integriteti juaj moral është më me rëndësi se virgjëria. Kur e "humbisni " virgjërinë, ju nuk duhet të humbisni integritetin. Ju duhet të jeni të ndershëm me veten dhe partnerët tuaj seksualë. Shpresoj, që ju do t’i diskutoni, ndershmërisht, këto që sapo lexuat, me shokët tuaj, me ata që takoheni, me prindërit tuaj dhe me të rritur të tjerë.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus