Kryesore » 2012 » Janar » 24 » Meshkujt dhe femrat, shumë ndryshime me njëri-tjetrin
3:00 AM
Meshkujt dhe femrat, shumë ndryshime me njëri-tjetrin
Një studim italian i botuar në "Public Library of Sciences” tregon se sa shumë dallojnë të dyja gjinitë në çështjet e personalitetitQë nga kohët e Darvinit, debati në lidhje me ndryshimet mes burrave dhe grave nuk ka reshtur kurrë. Gratë dhe burrat u janë nënshtruar presioneve të ndryshme të evolucionit dhe sipas shkencëtarit britanik, mes të dy gjinive qëndron një hendek i madh. Por, me kalimin e kohëve, kjo deklaratë ka ardhur duke u "zbutur”. Për arsye të ndryshme, kohët e fundit është bërë një përpjekje për të sfumuar dallimet dhe ndryshimet mes meshkujve dhe femrave në mënyrë që thënia "gratë vijnë nga Venusi dhe meshkujt nga Marsi” të ishte sa më pak e vërtetë. Së fundi, një studim italian i ka çuar këta dy planetë në një distancë më të drejtë përkundrejt njëri-tjetrit. Marco del Giudice, një psikolog i Universitetit të Torinos, ka shkruar në revistën profesioniste "Public Library of Science” se mes të dy gjinive sigurisht që ka dallime dhe të mëdha madje sikundër ka edhe ngjashmëri. "Ideja që mes grave dhe burrave ka vetëm disa dallime të vogla psikologjike duhet të rishikohet, sepse konkluzionet për të nuk kanë dalë në bazë të metodave realiste”, deklaron shkencëtari.
Kërkimi shkencor është kryer nga disa psikologë mbi 10 mijë amerikanë dhe konsiston në prova që janë bërë në lidhje me 15 tipare të ndryshme të personalitetit. Dallimi më i madh ka të bëjë me ndjeshmërinë, që tradicionalisht është një domen më shumë femëror. Gratë regjistruan vlera shumë më të larta për sa u përket çështjeve të ngrohtësisë njerëzore dhe kuptueshmërisë së të tjerëve, ndërkohë që burrat kanë shënuar vlera më të larta për sa i përket ekuilibrit emotive, ndërgjegjshmërisë dhe tendencës për të dominuar. Ndërkohë në përmasa thuajse të njëjta pra si te meshkujt ashtu edhe te femrat, janë vënë re tipare të tilla si dëshira për perfeksion, vitaliteti dhe tendenca për të abstraguar. Meshkujt dalin më të stabilizuar dhe më të qetë nga pikëpamja emocionale, më dominues, më të lidhur me rregullat dhe zbatimin e tyre dhe me më pak besim te gjërat në përgjithësi, ndërsa femrat janë më të nxehta emocionalisht, më pak të sigurta në vetvete dhe më të ndjeshme. Kërkimi shkencor në fjalë në fakt nxjerr në dritë edhe njëherë atë që tashmë dihej, por edhe atë që ishte mohuar vende-vende nga studimet e bëra në lidhje me marrëdhëniet mes burrave dhe grave. Nga Universiteti i Visonsinit në vitin 2005, një kërkuese shkencore kishte shkruar në një mënyrë shumë të qartë dhe të bazuar se "meshkujt dhe femrat janë të njëjtë, dhe kanë vetëm disa ndryshime fare të vogla që i dallojnë nga njëri-tjetri. Bëhet fjalë për ndryshime psikologjike”. Teoria e dy botëve të ndara "dominon mjetet e komunikimit popullor”, por duhet kundërshtuar, sepse ka kosto shumë të mëdha si për sa u përket vendeve të punës ashtu edhe për sa u përket marrëdhënieve ndërpersonale mes njerëzve”, vazhdon kërkuesja. Ajo veçanërisht ka marrë si objekt studimi dhe kundërshtimi librin e famshëm të John Gray të botuar në vitin 1992, "Meshkujt vijnë nga Marsi, ndërsa femrat nga Venusi”, që për 6 vjet arriti të shiste 30 milionë kopje në të gjithë botën dhe të përkthehej në 40 gjuhë të ndryshme. Një tjetër libër i famshëm që studiuesja mori në shqyrtim ishte edhe ai i Deborah Tannen "Përse nuk më kupton”, sipas të cilit të dy gjinitë kanë mënyra komunikimi krejtësisht të ndryshme njëri me tjetrin. Ndërsa për sa i takon seksualitetit apo kriterit të zgjedhjes së partnerit ka një marrëveshje në lidhje me dasitë mes të dy gjinive. Në këtë pikë, analiza e tipareve të personalitetit ka qenë vazhdimisht një pikë e fortë kundërshtish. "Ndryshe nga konkluzionet e studimeve të tjera, ne kemi studiuar karakteristikat e të dy gjinive në një mënyrë më të saktë dhe kemi vënë re se dallimet rriten ndjeshëm në rast se në vend që të matet vetëm një tipar për çdo radhë merren në konsideratë njëherazi të gjitha variablat së bashku”, thotë studiuesi italian. Sipas tij, si rezultat i këtij studimi të kryer përmes kësaj metodologjie, del se meshkujt dhe femrat kanë të përbashkëta 10 deri 20% të karakterit dhe tipareve të tyre psikologjike. Bëhet fjalë në këtë rast për një diferencë me dimensione shumë të mëdha, edhe pse sigurisht që bëhet fjalë për profile statistikore që nuk merren me përshkrimin e personave dhe personaliteteve të veçantë dhe që sigurisht lënë hapësirë të madhe për përjashtime.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 5.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus