Kryesore » 2012 » Shkurt » 6 » Veshja në zyra? Ka rregulla këtu!
10:05 AM
Veshja në zyra? Ka rregulla këtu!
Harroji minifundet, xhinset me bel të shkurtër, bluzat transparente dhe dekoltetë. Në vendin e punës ligjin e bën një tjetër kod veshjeje: ai i seriozitetit. Ja 10 rregullat që duhen mësuar përmendsh.Nëse çdo kompani ka një "dress code” të nënkuptuar, por që e jep gjithmonë të qartë mesazhin që duhet të transmetojë, atëherë do të ishte më e thjeshtë të shmangeshin vështrimet ngrënëse të burrave rreth e rrotull dhe thashethemet e grave. Ndaj është gjithmonë rasti për ta parë me sy kritik veshjen tënde të zyrës dhe të kujtosh se ky është rasti për t’u komunikuar të tjerëve seriozitet:



1) Bëj dush dhe përdor deodorant çdo ditë, pa harruar larjen e flokëve dhe të dhëmbëve, madje edhe të duarve.

2) Vishu duke iu përshtatur gjithmonë moshës që tregon pasaporta.

3) Grimi duhet të jetë i shndritshëm dhe natyral.

4) Detajet duhet të pëshpëritin, dhe jo të ulërijnë. Përdor bizhuteri sa më pak të dukshme.

5) Këmisha duhet të jetë e freskët, e hekurosur në mënyrë perfekte dhe kopsat të qepura mirë.

6) Kërthiza e zbuluar është tregues i mungesës së seriozitetit, ashtu si xhinset e grisura, fundet e ngushta që ngjiten pas kofshëve, tatuazhe dhe pircing që duken.

7) Në asnjë mënyrë minifunde, pantallona të shkurtra, pantallona me bel të shkurtër, transparencë, dekolte… Meshkujt nuk ndihen komodë, kurse femrat e kanë rrugën e hapur për të bërë thashetheme sapo ti të largohesh.

8) Është e ndaluar që të duken të brendshmet, rripat apo dantellat nga bluzat transparente.

9) Këpucët duhet të jetë të pastra. Shapkat me gisht vishi vetëm në breg të detit: takat nuk duhet t’i kalojnë 7 centimetrat.

10) Është e ndaluar që të mbahen syze dielli. Bashkëbiseduesi nuk do ta kuptojë se ku je duke parë. Është e ndaluar edhe që t’i vendosësh në kokë në vend të rrethit.



Shumica e kompanive e kanë një kod veshjesh të përcaktuar sipas standardeve të tyre, ne po ju paraqesim njërin prej tyre. Lëvrojnë pak a shumë të njëjtat rregulla….



Parime të Përgjithshme

Veshja dhe paraqitja e punonjësit duhet të pasqyrojë profesionalizëm, reputacion, dinjitet, përkushtim, dhe pastërti në çdo kontakt me klientët, kolegët, dhe partneret e shoqërisë. Çdo punonjës individualisht duhet të kujdeset për veshjen dhe paraqitjen e tij duke iu përmbajtur udhëzimeve dhe përcaktimeve në këtë Kod Veshje.



Veshja

Veshja duhet të jetë e pastër, pa njolla, pa vrima ose grisje, jo e vjetër, e mbajtur në gjendje të mirë, e hekurosur, në përputhje me përmasat trupore, me ngjyra diskrete, serioze, konservative, e këndshme, dhe jo ekstravagante. Veshjet me reflekse, me shkëlqim ose me xixa janë rreptësisht të ndaluara. Duhet të shmanget ekspozimi i tepruar i lëkurës. Ndalohen dekoltete e theksuara, bluzat me rripa, zhaponete, kurrizi përjashtë, bluzat që zbulojnë barkun, materialet transparente të veshura me të brendshme me ngjyra të dallueshme, fundet më të shkurtër se 10 cm sipër gjurit, pantallonat e shkurtra. Ndalohen veshjet sportive të çdo Iloji. Aksesoret duhet të jenë të thjeshtë, tradicionale dhe te kombinuar. Aksesoret nuk duhet të jenë tepër të mëdhenj, me ngjyra e forma të ekzagjeruara dhe/ose me shenja diskriminuese.

Këpucët duhet të jenë të mbajtura në gjendje të mirë, të mos jenë të grisura, të vjetra e të pista.

Takat duhet të jenë normale, jo tepër të larta në mënyrë vulgare dhe të jenë pa aksesore zbukurues të tepruar. Takat duhet të mos shkaktojnë zhurmë gjatë ecjes në kontakt me sipërfaqet e forta. Ndalohet përdorimi i shapkave, sandaleve dhe ecja zbathur në punë. Ndalohet përdorimi i syzeve të diellit.



Varëset, Byzylykët dhe Zbukurimet

Punonjësit janë të lejuar të mbajnë, në ato raste që nuk përbëjnë rrezik profesional, varëse, byzylyke, ose zbukurime të tjera modeste që nuk janë të tepruara në përmasa dhe në dallueshmëri.

Gjithësesi nuk lejohet të mbash më shumë se një varëse, ose një byzylyk në të njëjtën kohë. Varëse, byzylykët, ose zbukurimet nuk duhet të përmbajnë asnjë shenje dalluese që përkon qëndrim diskriminues tek personat që janë pranë.



Kapelet dhe mbulesat e kokës

Veshja e kapeleve dhe mbulesave të kokës nuk është e përshtatshme në ambientet e zyrave.



Tatuazhet dhe Piercing

Punonjësit duhet të mbulojnë me veshjen e tyre çdo tatuazh ose piercing që kanë në trup. Piercing është i lejueshëm nëse është në përmasa modeste, vetëm në veshët e punonjësit.



Shenjat dhe Mbishkrimet

Veshjet në asnjë rast nuk duhet të përmbajnë mbishkrime, shenja, vizatime, figura, ose logo që nuk janë shenja ose logo dalluese të prodhuesit të veshjes, dhe që kanë përmasa më të mëdha se 4 cm.



Veshja Zyrtare

Në një ambient zyrtar pune ose biznesi, punonjësi duhet të vishen me një veshje formale e cila duhet të përmbushe kriteret e përcaktuara si me poshtë:

Veshja duhet të jetë në përputhje me uniformen përkatëse të përcaktuar në këtë Kod Veshje për njësinë ku bën pjesë punonjësi; Nëse punonjësi nuk bën pjesë në ndonjë njësi të shoqërisë për të cilën ka një uniformë të përcaktuar në këtë Kod Veshje, atëherë punonjësi duhet t’i përmbahet veshjes zyrtare si vijon;

Femrat: pantallona ose fund kostumi, rrip kostumi ose jo, këmishë e kollarisur ose jo, kollare ose fjongo, xhakete kostumi, këpucë të sheshta ose me takë jo më të lartë se 5 cm, dhe jo me majë, çorape njëngjyrëshe, të gjitha duhet të shkojnë me njëra-tjetrën në ngjyrë dhe në stil.

Meshkujt: pantallona kostumi, rrip kostumi, këmishë e kollarisur, kollare, xhakete kostumi, dhe këpucë të lustruara, çorape njëngjyrëshe, të gjitha duhet të shkojnë më njëra-tjetrën në ngjyrë dhe stil. Në varësi të stinës xhaketa mund të mos vishet, dhe këmishat mund të jenë me mëngë të shkurtra
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 5.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus