Kryesore » 2012 » Prill » 16 » Si t’ua shpjegojmë fëmijëve ndarjen
5:59 PM
Si t’ua shpjegojmë fëmijëve ndarjen
Për një fëmijë, ndarja është një moment delikat dhe i dhimbshëm. Ja disa këshilla për t’ua shpjeguar më mirë situatën të vegjëlve Ndodh që dy partnerë të mos duhen më dhe si pasojë nuk mund të qëndrojnë me njëri-tjetrin, pavarësisht se mund të kenë bërë shumë plane bashkë dhe ç’është më e rëndësishme kanë sjellë në jetë edhe fëmijë. Për të mos e vështirësuar edhe më shumë situatën, është e rëndësishme që t’i njoftoni fëmijët për gjithçka që po ndodh, sepse një ndarje sado e rëndë dhe e dhimbshme të jetë, duhet përballuar. Ja disa këshilla që të mos e përjetoni keq këtë periudhë të vështirë e delikate.Prindërit duhet t’i flasin të dy fëmijës, nuk duhet të jetë vetëm nëna ose babai, në mënyrë që të mos krijohen keqkuptime dhe më e rëndësishme faji të mos bjerë vetëm mbi njërin apo tjetrin prind. Një fëmijë ka të drejtë po aq sa prindërit që të dijë të vërtetën dhe çfarë mendojnë nëna e babai për këtë histori. Fillimisht bëni disa prova. Nuk duhet të ziheni asnjëherë para fëmijës, sepse rrezikoni t’i ndërlikoni edhe më shumë gjërat; po ashtu mund t’i drejtoheni një eksperti i cili do të dijë t’ju udhëheqë drejt kësaj detyre të vështirë.

Fëmija duhet të kuptojë që largimi ose ndarja nuk ka lidhje me të, por me prindërit. Dashuria ndaj tij/saj do të mbetet e njëjtë, edhe pse ndoshta ai mund të mos e ketë shumë të qartë. Nëna dhe babai do të jenë gjithmonë në dispozicion të fëmijëve, për çdo gjë që do t’u nevojitet atyre. Edhe në momentet më të rëndësishme të fëmijëve, prindërit do të jenë të pranishëm, duke i lënë mënjanë keqkuptimet e tyre: këto janë fjalë që mund t’u duken banale, por shpeshherë fëmijët kanë nevojë t’i dëgjojnë në të tilla raste. Ka edhe nga ata fëmijë që ndihen fajtorë për ndarjen e prindërve, a thua se janë ata motivi i krijimit të konfliktit. Ndaj është mirë që t’i siguroni, duke u shprehur të gjithë dashurinë tuaj.

Mos flisni kurrë keq para fëmijëve për ish-partnerin tuaj. Edhe pse ndonjëherë është shumë e vështirë të përmbahesh, ky është rregulli numër një për mirëqenien e fëmijës suaj, i cili është ende akoma shumë i vogël për t’i marrë në kuptimin e duhur fjalët tuaja. Është normale që të gjithë fëmijët të fillojnë të fantazojnë sikur prindërit të rikthehen bashkë, por është detyra juaj që t’i tregoni se pavarësisht se jeni ndarë, ato nuk ju kanë humbur, madje janë pika juaj e referimit. Ai që ka ndryshuar është roli bashkëshortor, jo prindëror. Është e rëndësishme që fëmijët tuaj të kuptojnë se nuk kanë humbur asgjë, por këtë mund ta arrini vetëm duke u qëndruar pranë dhe duke mos i përfshirë asnjëherë në debatet tuaja. Duhet t’i mbroni me çdo kusht nga problemet dhe t’u jepni shumë siguri.

Momenti më i vështirë për një fëmijë është kur ndahen prindërit, ndaj është mirë që të përpiqeni të shmangni konfliktet dhe t’u flisni hapur atyre. Do të jetë një moment i dhimbshëm, por i domosdoshëm. Shpjegojuni atyre se doni të ndaheni nga partneri dhe nuk keni përse t’i tërhiqni fëmijët nga ana juaj.

Në fakt disa çifte, edhe pas ndarjes vendosin të rikthehen së bashku. Nëse edhe ju bëni të njëjtën gjë, atëherë sigurohuni mirë për vendimin pastaj bëjuani të ditur fëmijëve. Një zhgënjim i dytë do të jetë shumë i vështirë për t’u përballuar. Vendimi për t’u ndarë është zgjedhje e vështirë dhe e dhimbshme, por edhe një mënyrë për të filluar një jetë të re, që nis pikërisht nga fëmijët tuaj duke ua komunikuar atyre të parëve këtë gjë dhe duke i shoqëruar në këtë moment kaq delikat me të gjithë dashurinë që ju karakterizon, gjë që vetëm ju jeni në gjendje t’ua jepni.

Gjatë ndarjes, fëmijët mund të kenë shumë reagime emocionale. Zakonisht, hidhërimi i tyre shfaqet: me mospranim dhe heshtje, me kthim mbrapa, me lodhje fizike, me ndjenjën e fajit dhe me veprime armiqësore, me gjendje paniku/alarmi dhe konfuzion. Në këtë gjendje, fëmija "mbyll sytë” ndaj situatës. Duket sikur atij nuk i intereson ajo që po ndodh mes prindërve, apo sikur nuk e kupton. Duke bërë kështu, ai përpiqet të mbrojë veten nga humbja e madhe. Në fakt, kjo tregon se ai e shikon ndarjen si një ngjarje shumë të rëndë, të cilën e ka shumë të vështirë ta pranojë. Kjo sjellje shpesh kuptohet gabim nga prindërit, që kujtojnë se fëmija po e pranon situatën. Ngaqë nuk përballojnë dot ndjenjat e ankthit dhe të sikletit, fëmijët mund të kthehen mbrapa në një moshë më të vogël, me sjelljet e tyre. Ata mund të fillojnë të thithin gishtin, të lagen në shtrat, të flasin si bebe apo të paraqesin sjellje të tjera fëminore. Fëmijët mund të fillojnë të ankohen shumë, që të rriturit të kujdesen më tepër për ta.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus